Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar sot publikimin voluminoz të PD-së për zgjedhjet e fundit, të titulluar “Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri”. Ky dokument historik përfshin mbi 1500 faqe dhe mbi 2 mijë prova, duke përfshirë dokumente, video dhe fotografi që sipas PD-së tregojnë shkelje ligjore, dhunim të votës dhe ndërhyrje të krimit në procesin zgjedhor.

Berisha e vlerësoi punën e jashtëzakonshme të strukturave të PD-së, të cilat kanë ndjekur, shqyrtuar dhe analizuar të gjitha dokumentet, dhe i kanë dërguar ato edhe në qendrat ndërkombëtare të raporteve për zgjedhjet në Shqipëri. Një përpjekje e veçantë u bë nga deputetja Albana Vokshi, e cila ka kontribuar drejtpërdrejt në përgatitjen e librit me 1500 faqe.

Reklame

Kreu i PD-së theksoi se ndërkohë që Edi Rama ka tentuar të kërcënojë vëzhguesit ndërkombëtarë, ata nuk u tërhoqën, ndërsa PD ka siguruar mijëra dokumente autentike që kanë ndihmuar në përgatitjen e raporteve finale për zgjedhjet.

“Raporti është i disponueshëm online dhe çdo media mund ta konsultojë. Ky dokument përbën një kontribut të rëndësishëm në denoncimin e farsës elektorale,” u shpreh Berisha.

Ky publikim sipas PD-së vjen si një dëshmi për përpjekjet e partisë për të mbrojtur votën dhe për të dokumentuar çdo ndërhyrje të paligjshme në zgjedhje.

Reklame