Për herë të dytë në pak më shumë se 3 vite, gjyqtarët shqiptarë kërkojnë një rritje prej rreth 700 euro në muaj, këtë herë përmes një kërkese të dërguar nga Unioni i Gjyqtarëve më 3 mars. Çështja po shqyrtohet sot në Gjykatën Kushtetuese, që prej orës 10:00 të paradites.

Kryeministri Edi Rama, i cili prej kohësh kundërshton këtë pretendim, e ka quajtur situatën “farsë më e shëmtuar e imagjinueshme” dhe ka kritikuar publikisht gjyqtarët për shkelje të hierarkisë dhe piramidës së pagave në Shqipëri.

Reklame

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan:“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë i vetmi vend në botë ku gjyqtarët paguhen më shumë se çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit… Ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues.”

Sipas Unioni i Gjyqtarëve, vendimi i vitit 2023, që përcaktoi rrogën e tyre në 36% të pagës së Presidentit, e ka ulur përfitimin e tyre dhe është anti-kushtetues, prandaj kërkojnë një llogaritje tjetër të pagës, duke marrë për bazë vendimin e Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë.

Rama gjithashtu lavdëroi SPAK-un, i cili sipas tij nuk iu bashkua këtij procesi, duke mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit.

Situata ka nxitur debat të fortë publik mbi autonominë e gjyqtarëve, transparencën dhe kufijtë e pushtetit në politikën e pagave.

Postimi i plotë i Edi Ramës: 

Sot Gjykata Kushtetuese  po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar!

Respekte për SPAK -un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.

Gjyqtarët kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga qeveria, e cila zbatoi kështu vendimin e një viti më herët të Kushtetutës dhe përcaktoi se rroga e gjyqtarëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit.

Vendimmarrje e ligjvënësit e cila nuk i ka pëlqyer gjyqtarëve. Sipas tyre kjo llogaritje i ka ulur përfitimet dhe kjo është anti kushtetuese, dhe për këtë kërkojnë një llogaritje tjetër me bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë.

Reklame