Sulmet ruse në Ukrainë kanë goditur kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo, duke rrezikuar seriozisht jetën e tij.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila e cilësoi ngjarjen si “të papranueshme”, ndërsa bëri me dije se ambasadori rus në Shqipëri, Alexey Zaytsev, është thirrur për të dhënë shpjegime.

Reklame

Sipas reagimit zyrtar, Shqipëria dënon ashpër sulmin masiv me raketa balistike dhe dronë të ndërmarrë nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, duke theksuar se goditja e zonës ku banon personeli diplomatik përbën një përshkallëzim të rëndë të konfliktit.

“Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme”, thuhet në reagimin e ministrit Ferit Hoxha.

Ministri shqiptar akuzoi Rusinë për vazhdimin e sulmeve ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, duke përmendur shkollat, spitalet, rrjetin energjetik dhe banesat e qytetarëve.

“Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, po nxit vuajtje dhe shkatërrim”, deklaroi Hoxha.

Në reagimin e saj, pala shqiptare i kërkon Rusisë ndalimin e menjëhershëm të sulmeve dhe rikthimin në tryezën e negociatave, ndërsa rithekson mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë fort pranë Ukrainës dhe përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës”, theksoi ministri Hoxha.

Reklame