Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se do të marrë në pyetje Emiljano Shullazin lidhur me atentatin ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, ngjarje kjo që tronditi Rinasin më 11 nëntor. Dani, i njohur si krahu i djathtë i Shullazit, rezulton se ka qenë pjesë aktive e grupit të tij për vite me radhë.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Shullazi do të pyetet mbi dyshimet që mund të ketë për autorët ose personat që kanë organizuar atentatin ndaj Danit.

Reklame

Ngjarja ndodhi mesditën e 11 nëntorit pranë aeroportit të Rinasit. Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani po lëviznin me një automjet luksoz Benz të bardhë, kur autorët i zunë pritë me një mjet tjetër dhe i qëlluan me breshëri plumbash. Dani u ekzekutua në vend, ndërsa Shaljani mbeti i plagosur.

Shofer i automjetit ishte Muçi Shaljani, punonjës i AMP, ndërsa Dani sapo kishte ardhur nga Barcelona dhe sapo kishte hipur në makinë. Pas atentatit, autorët dyshohet të jenë larguar drejt Fushë-Krujës me një Toyota Yaris me targa greke, ndërsa makina e përdorur u gjet e djegur disa minuta më vonë në fshatin Halil.

Hetimet pritet të intensifikohen në ditët në vijim, ndërsa prokuroria synon të zbulojë lidhjet dhe motivet e vrasjes që ka tronditur botën e krimit në vend.

Reklame