Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar veprimet hetimore ndaj drejtuesve të kompanisë koncesionare Bankers Petroleum Albania, të cilët janë paraqitur këtë të hënë në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.

Hetimet lidhen me një dosje të hapur më herët nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, ku kompania dhe disa drejtues të saj po hetohen për evazion fiskal dhe pastrim parash.

Reklame

Në kuadër të këtij procesi, vitin e kaluar u ndërmor një aksion i gjerë hetimor, i mbështetur nga vendime të gjykatës, ku u ushtruan kontrolle në ambiente të lidhura me aktivitetin e kompanisë.

Në atë fazë u arrestuan edhe disa drejtues, mes tyre ish-administratori Leonidha Çobo dhe drejtuesi kinez Hongping Xiao, ndërsa u raportua edhe për një tjetër shtetas shqiptar të ndaluar.

Sipas hetimeve paraprake, dyshimet lidhen me skema të mundshme të shmangies së detyrimeve tatimore dhe transaksione financiare të dyshimta, që mund të kenë shërbyer për pastrim parash.

Bankers Petroleum Albania ka qenë më herët në qendër të kritikave edhe për detyrime të pashlyera fiskale ndaj shtetit, si dhe për ndikimin mjedisor të aktivitetit të saj në zonat naftëmbajtëse.

Hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa pritet të ketë zhvillime të mëtejshme në ditët në vijim.

Reklame