Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Unazën e Madhe të Tiranës, në pjesën veriore të saj.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:00, ku dyshohet se në aksident janë përfshirë dy automjete dhe një motomjet. Si pasojë e përplasjes së fortë, ka humbur jetën drejtuesi i motorrit, shtetasi Olton Xhambeu, rreth 38 vjeç.
Menjëherë pas aksidentit në vendngjarje kanë mbërritur ambulanca dhe shërbimet e policisë, por fatkeqësisht 38-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Drejtuesit e dy automjeteve të përfshira në aksident, shtetasit Gj. L. dhe A. Sh., ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet e mëtejshme proceduriale pranë autoriteteve.
Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.














