Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, duke raportuar 29 vatra zjarri, prej të cilave 11 janë aktive, 3 janë në monitorim dhe 4 nën kontroll.
Për përballimin e situatës janë angazhuar qindra efektivë dhe forca mbështetëse nga disa struktura.
Në terren janë 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, AdZM, Shërbimi Pyjor dhe ASHP, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në operacione janë përfshirë gjithashtu 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive
Dajt, Tiranë – Vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Edhe në Priskë të Madhe nuk raportohet rrezik për banesat.
Përmet, Gjirokastër – Vijojnë aktive vatrat në malin e Nëmërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Terreni është i vështirë, ndërsa zjarrfikësit, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët po punojnë për izolimin e flakëve. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të rëndësishme. Në terren janë angazhuar 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës policie, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së. Ndërhyrja ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të perimetrit pranë banesave dhe shmangien e rrezikut për to. Nga ajri kanë operuar dy avionë Air Tractor.
Qafa e Helmes, Bulqizë-Dibër – Vatra vijon aktive në terren pyjor, ku po punojnë efektivë të MZSH-së dhe forca bashkiake.
Troje, Mirditë – Për izolimin e zjarrit janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake, policore, vullnetarë dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Shkodër – Vijojnë aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Forcat e MZSH-së dhe Shërbimit Pyjor po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre. Në Goraj-Budishtë nuk raportohet rrezik për banesat.
Elbasan – Vatra aktive raportohen në Dardhë të Librazhdit dhe në Shalës të Cërrikut. Në Dardhë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet vijojnë në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në zonat më të ekspozuara është bërë e mundur mbrojtja e banesave dhe kufizimi i përhapjes së flakëve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e kapaciteteve në varësi të nevojave në terren.
Lexo edhe
Zjarret në Shqipëri/ 23 vatra në 12 orë, 8 mbeten aktive
Zjarret në Shqipëri/ 45 vatra në 24 orë, 12 mbeten aktive në terren 839 forca















