Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në hyrje të qytetit të Koplikut, ku një 42-vjeçar ka mbetur i plagosur pasi është goditur me sende të forta dhe janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Policia informon se Rreth orës 19:30, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër është paraqitur Edison Tirana, 42 vjeç, banues në Bericë, me dëmtime në kokë dhe trup, të shkaktuara dyshohet nga goditje me mjete të forta.
Sipas informacioneve paraprake, ai është përfshirë në një konflikt që dyshohet të ketë nisur për motive të dobëta, ndërsa disa persona e kanë sulmuar në hyrje të Koplikut. Gjatë sherrit, autorët kanë qëlluar edhe me armë zjarri, duke e përshkallëzuar situatën në mënyrë të rrezikshme.
Në vendngjarje ka ndërhyrë policia, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.















