Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në aksin Shkodër–Hani i Hotit, ku një automjet u qëllua me 5 plumba ndërsa ishte në lëvizje. Plumbat kanë kapur kryesisht pjesën e bagazhit, duke dëmtuar rëndë pjesën e pasme të automjetit.
Ngjarja ka ndodhur pranë rrethrrotullimit të Koplikut, ndërsa dyshohet se konflikti nisi më herët, në zonën e doganës së Hanit të Hotit, ku drejtuesit e dy mjeteve dyshohet të kenë pasur një debat dhe të kenë nisur manovra parakalimi ndaj njëri-tjetrit.
Siç raportojnë burime në terren, makina e shënjestruar ka qenë në lëvizje kur është qëlluar, ndërsa drejtuesi i saj, në tentativë për t’i shpëtuar plumbave, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën e një karburanti. Automjeti ka dëmtime serioze, përfshirë edhe goma të shpuara.
Pas përplasjes, shoferi ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendngjarja. Ende nuk ka informacion nëse ka mbetur i plagosur.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e autorëve, si dhe sqarimin e plotë të motivit të ngjarjes, e cila mbetet e paqartë.















