Është identifikuar autori i dyshuar i vrasjes me thikë të Igli Pashollarit, ngjarje e ndodhur në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë. Sipas burimeve, personi i dyshuar është Gazmend Buçpapa.
Nga të dhënat paraprake mësohet se konflikti ka nisur në trotuar, në momentin kur viktima ka dalë nga automjeti i tij. Ai është sulmuar menjëherë nga tre persona, dy djem dhe një vajzë.
Gjatë përleshjes fizike, njëri prej djemve dyshohet se e ka goditur Pashollarin të paktën një herë me thikë në pjesën e kurrizit, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Pas sulmit, Pashollarit i është dhënë ndihma e parë pranë një lokali në zonë. Më pas, disa persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje e kanë transportuar me automjetin e tij drejt spitalit, por ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve përreth. Pamjet janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe pritet të shërbejnë si provë kyçe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së secilit person në konflikt.
Policia vijon hetimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.















