Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, gjatë një tryeze mbi reformën penale, ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e hartimit të projektit të ri të Kodit Penal, duke theksuar se procesi nuk është mbështetur mbi një metodologji të qartë dhe mungon dokumenti orientues që përcakton filozofinë e re të drejtësisë penale.
“Ndryshe nga praktikat më të mira, procesi aktual i hartimit të projektit nuk duket se është mbështetur mbi një metodologji të tillë. Relacioni shpjegues përmend nevojën për reformë, por nuk shpjegon mënyrën e ndërtimit,” – u shpreh Sadushi, duke shtuar se mungon analiza e ndikimit kriminologjik, ekonomik dhe social të ndryshimeve të propozuara, ndërsa konsultimi institucional ka qenë i kufizuar dhe i pjesshëm.
Sipas tij, megjithëse projekti është voluminoz dhe përmban risi, mbetet “i paqartë në disa pjesë dhe i pabarazpeshuar në filozofi”, duke rrezikuar që në vend të thjeshtojë sistemin penal, “ta bëjë më të vështirë në zbatim”.
Sadushi kujtoi se pyetjet thelbësore për reformën mbeten ende pa përgjigje:
“A është ky Kod i qartë dhe funksional? A është human dhe proporcional? A i flet qytetarit apo profesionistëve? A ndihmon në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema?”
Kryetari i Gjykatës së Lartë bëri të ditur se pas publikimit të projektit dhe hapjes së konsultimeve publike, Gjykata e Lartë është përfshirë aktivisht në proces, përmes një analize të detajuar të Kolegjit Penal, e përmbledhur në një dokument prej rreth 50 faqesh me komente dhe propozime konkrete. Dokumenti është miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve dhe i është përcjellë zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit të Punës.
Në përfundim, Sadushi theksoi se kontributet institucionale si ky e bëjnë procesin e reformës më serioz dhe të besueshëm:
“Synimi është që Kodi i ri Penal të jetë një instrument i drejtësisë moderne, i qartë në filozofi, i zbatueshëm në praktikë dhe në shërbim të besimit të qytetarëve tek ligji,” – u shpreh ai.














