Advertisement

Një operacion i rëndësishëm antidrogë është zhvilluar në provincën e Bergamos, ku Guardia di Finanza ka sekuestruar mbi 160 kilogramë kokainë, ndërsa dy shtetas me origjinë shqiptare janë arrestuar dhe dërguar në burg, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Operacioni u realizua në kuadër të një kontrolli të koordinuar nga repartet e Guardia di Finanza që veprojnë në Distriktin e Gjykatës së Apelit të Brescias, pas një aktiviteti intensiv vëzhgimi në zonat industriale dhe tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo, të konsideruara si zona me interes të lartë hetimor.

Reklame

Sipas autoriteteve italiane, efektivët konstatuan lëvizje të dyshimta të një automjeti të rëndë tip TIR, i cili u ndalua në një zonë industriale të Bergamos. Nga hetimet rezulton se drejtuesi i mjetit hyri në rimorkio dhe priti mbërritjen e një automjeti të dytë, të cilit iu dorëzuan shtatë çanta të mëdha.

Menjëherë pas këtij veprimi, forcat e Guardia di Finanza ndërhynë duke bllokuar të dy automjetet dhe personat e përfshirë. Gjatë kontrollit të detajuar, u zbuluan dhe u sekuestruan 150 pako me kokainë, me një peshë totale që tejkalon 160 kilogramë.

Sipas vlerësimeve paraprake të hetuesve, sasia e drogës e sekuestruar do të siguronte fitime rreth 20 milionë euro në tregun e paligjshëm të narkotikëve.

Në përfundim të veprimeve procedurale dhe në bashkëpunim me Autoritetin Gjyqësor kompetent, dy shtetasit shqiptarë u arrestuan dhe u dërguan në Burgun e Bergamos, ku do të përballen me akuzat për trafik droge në shkallë të gjerë.

Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e plotë kriminal dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Reklame