Advertisement

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër, ku një i paraburgosur 62-vjeçar ka humbur jetën pas një problemi të papritur shëndetësor.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i paraburgosuri me inicialet Ç. J., i datëlindjes 10 nëntor 1964, ishte i akomoduar në të njëjtën dhomë me të birin, të burgosurin me inicialet D. J.

Reklame

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, kur 62-vjeçari ka pësuar një përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e personelit mjekësor të institucionit.

Pas dhënies së ndihmës së parë në ambientet e burgut, mjekët vendosën transportimin urgjent të tij drejt Spitalit të Koplikut për shkak të gjendjes së rënduar.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, gjatë transportit dhe pas mbërritjes në spital, stafi mjekësor kreu të gjitha procedurat e reanimimit kardiorespirator, por pavarësisht përpjekjeve, 62-vjeçari nuk mundi të mbijetonte.

Në përputhje me procedurat ligjore, organet kompetente janë njoftuar menjëherë dhe kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe ka garantuar bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.

Reklame