Advertisement

Erion Veliaj i ka dërguar një letër Kuvendit lidhur me projektligjin për reformën e re administrativo-territoriale, duke kërkuar pezullimin e shqyrtimit përfundimtar deri në zhvillimin e një konsultimi real me qytetarët.

Veliaj thekson se nuk është kundër në parim rishikimit të hartës territoriale, por kundërshton mënyrën se si po zhvillohet procesi dhe kërkon që ndryshimet të mbështeten në konsultim, analiza dhe garanci të qarta ligjore. Projektligji parashikon kalimin nga 61 në 46 bashki.

Reklame

Në letrën drejtuar deputetëve, Veliaj argumenton se reforma territoriale nuk mund të shihet thjesht si ndryshim kufijsh, pasi prek autonominë vendore, përfaqësimin, financat, kompetencat dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Nuk mund të vendosim sot kufijtë dhe nesër të vendosim se si do të qeveriset territori që krijuam sot”, shkruan Veliaj.

Kërkon pezullimin e procesit

Një nga kërkesat kryesore të tij është që shqyrtimi përfundimtar i projektligjit të ndalet deri në zhvillimin dhe dokumentimin e një konsultimi real, paraprak dhe efektiv me popullsinë e zonave që preken nga ndryshimi.

Sipas Veliajt, konsultimi nuk duhet të jetë thjesht një procedurë formale pasi harta është përcaktuar, por duhet të zhvillohet në një fazë kur mendimi i qytetarëve mund të ndikojë realisht në përmbajtjen e reformës.

Ai kërkon gjithashtu që të bëhen publike metodologjia e konsultimit, pjesëmarrja, qëndrimet e qytetarëve dhe mënyra se si këto qëndrime janë reflektuar në projekt.

Kundërshtimi për “qytetet” dhe përfaqësimin

Veliaj ngre shqetësime edhe për strukturën e re të propozuar, ku bashkia do të organizohet rreth qyteteve dhe njësive administrative.

Sipas tij, projektligji krijon mospërputhje me ligjin aktual për vetëqeverisjen vendore dhe se përpara miratimit të hartës duhet të qartësohen kompetencat, organizimi, financimi dhe mënyra e përfaqësimit.

Një tjetër pikë e ngritur në letër është përfaqësimi proporcional i qyteteve sipas popullsisë.

Veliaj kërkon të përcaktohet qartë se si do të funksionojë ky mekanizëm, si do të garantohen barazia e votës dhe përfaqësimi i banorëve të fshatrave dhe njësive administrative.

Rinas, pika e veçantë për Tiranën

Një pjesë e veçantë e letrës i kushtohet Bashkisë Tiranë dhe propozimit për përfshirjen e Rinasit në territorin e kryeqytetit.

Veliaj kërkon një vlerësim të plotë territorial, demografik, administrativ dhe financiar për këtë ndryshim, duke përfshirë pasuritë, detyrimet, personelin, të ardhurat, shpenzimet dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike.

Ai argumenton gjithashtu se procesi institucional i Bashkisë Tiranë duhet të zhvillohet në mënyrë të plotë, duke përfshirë mendimin e kryetarit, Këshillin Bashkiak dhe konsultimin me qytetarët.

Në këtë pikë, Veliaj shkruan se ndodhet në një situatë ku masa ndaj tij ka penguar ushtrimin normal të mandatit dhe se kërkesa për t’i mundësuar pjesëmarrjen në proces është refuzuar nga SPAK.

“Reforma duhet të jetë e qëndrueshme”

Në fund të letrës, Veliaj paraqet nëntë kërkesa, ndër të cilat pezullimin e shqyrtimit përfundimtar, konsultimin me qytetarët, publikimin e metodologjisë së konsultimit, vlerësimin e ndryshimit të territorit të Tiranës, qartësimin e përfaqësimit dhe harmonizimin e projektligjit me ligjin për vetëqeverisjen vendore.

Ai thekson se nuk e kundërshton nevojën për rishikimin e organizimit territorial, por kërkon që reforma të jetë, sipas tij, “e plotë, koherente, realisht e konsultuar dhe kushtetutshmërisht e qëndrueshme”.

Letra e Veliajt vjen ndërsa procesi për hartën e re territoriale vijon në Kuvend dhe ndërsa propozimi për uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46 ka hapur debat politik mes mazhorancës dhe opozitës.

lexo edhe

“Proces tallës me shqiptarët”/ Bardhi kërkon heqjen e Reformës Territoriale nga kalendari

NGA 61 NË 100 BASHKI/ PD depoziton zyrtarisht ligjin e ri për ndarjen territoriale 

Reklame