Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së, që e dënoi me 6 vite e 8 muaj burgim për mashtrim kompjuterik në dosjen e call centerave, Greta Gjoci është dërguar për vuajtjen e dënimit në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale në Pogradec.
Vendimi është ekzekutuar menjëherë pas shpalljes së tij. Gjocim është shoqëruar në Pogradec së bashku me foshnjën e saj, e cila është vetëm 3-muajshe.
Mësohet se, për shkak të moshës së vogël të fëmijës, Greta Gjoci është akomoduar në një ambient të veçantë, në mënyrë që të mund të qëndrojë pranë foshnjës së saj.
Kërkesa për pezullimin e dënimit
Në Gjykatën e Posaçme është depozituar ndërkohë një kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke iu referuar situatës së krijuar dhe faktit që e dënuara është nënë e një foshnjeje.
Kërkesa pritet të shqyrtohet ditën e hënë nga gjykata.
Rasti ka tërhequr edhe vëmendjen e Avokatit të Popullit.
Institucioni ka bërë të ditur se një grup pune i Mekanizmit për Parandalimin e Torturës po shkon në burgun e Pojskës për të verifikuar situatën lidhur me rastin e një gruaje të dënuar, e cila është njëkohësisht nënë e një foshnjeje.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, grupi i monitorimit do të verifikojë situatën dhe më pas do të bëjë publike gjetjet e tij.
Rasti pritet të marrë një tjetër zhvillim pas shqyrtimit të kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të dënimit nga Gjykata e Posaçme.
Lexo edhe:
Bruno Çobo dhe skema e call center-it/ 5 gra kërkojnë pezullimin e dënimeve, kemi fëmijë të mitur
Zbulohet call centeri në Tiranë që mashtronte europianët. 4 operator në pranga, pronari në kërkim!














