Një tjetër call center i dyshuar për mashtrim të qytetarëve të vendeve të Bashkimit Europian është goditur në Tiranë.
Operacioni i koduar “INVESTING” u finalizua nga specialistët e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me sektorët e Krimeve Kibernetike dhe Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Policia ndërhyri në një ambient në Rrugën e Kavajës, i përshtatur me poste pune, ku sipas hetimeve dyshohet se kryhej veprimtaria e paligjshme përmes platformave online.
Në flagrancë u arrestuan Emirjon Xhafa, 40 vjeç, Genci Ndoni, 42 vjeç, Ekzon Dervishi, 32 vjeç dhe Eroll Hyslihaka, 31 vjeç.
Sipas Policisë, katër të arrestuarit dyshohet se mashtronin qytetarë të vendeve të ndryshme të BE-së përmes platformave online, me synim përfitimin e parave.
Në pranga nuk ka përfunduar pronari i ambientit. Taulant Beleraj, 45 vjeç, është shpallur në kërkim, pasi, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se e administronte ambientin në bashkëpunim me personat e arrestuar.
Një 23-vjeçare, me inicialet E.A., është proceduar në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit policia sekuestroi si prova materiale 13 njësi kompjuterike, 19 telefona celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës për dokumentimin e plotë të veprimtarisë dhe rolit të secilit prej personave të përfshirë.
Ky është një tjetër aksion ndaj skemave të dyshuara të mashtrimit online, në një kohë kur autoritetet shqiptare kanë intensifikuar hetimet ndaj call center-ëve që synojnë qytetarë të huaj.
Lexo edhe
Parashikimi i motit 30 shtator, mot me kthjellime dhe vranësira
Horoskopi 30 shtator. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë













