Policia ka zbardhur grabitjen me dhunë të një pike karburanti në Klos, ku dy persona dyshohet se kanë dhunuar punonjësin dhe i kanë marrë paratë e xhiros së turnit.
Në pranga kanë përfunduar dy të rinj, Julian Losha, 22 vjeç, banues në fshatin Dars të Klosit, dhe Mateo Devole, 21 vjeç, banues në Tiranë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:10 të datës 3 nëntor 2026, kur policia është njoftuar se dy persona të paidentifikuar kishin ushtruar dhunë ndaj punonjësit të karburantit, shtetasit me inicialet S. M., dhe më pas i kishin marrë një shumë parash, që përfaqësonte xhiron e turnit.
Pas marrjes së njoftimit, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Mat dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër nisën hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 në Tiranë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i dy të rinjve.
Sipas policisë, nga hetimet dyshohet se ata kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke dhunuar punonjësin dhe më pas duke i vjedhur paratë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.
Lexo edhe
Alarm në Tiranë! Grabitje me armë në një bankë, policia në kërkim të autorit
E kërkonin në Itali për një vrasje të vitit 2000, policia i troket në derë në Vlorë! (EMRI)













