Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve të fundit të protestës kundër projektit në Sazan dhe Zvërnec, duke deklaruar se tubimi ka humbur lidhjen me kauzën fillestare dhe po dëmton interesat e vendit.
Në një reagim publik, Rama theksoi se protestuesit janë të lirë të protestojnë paqësisht, por sipas tij protesta nuk ka më lidhje me çështjen e Sazanit apo Zvërnecit.
“Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin apo Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e qeverisë tregojnë qartë që qeveria është në lartësinë e interesit publik dhe të standardeve më të mira ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë akuzoi organizatorët se po godasin imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke krijuar sipas tij perceptime negative për vendin.
“Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin e pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe të pasigurt për turistët”, deklaroi Rama.
Ai përmendi gjithashtu anulimet e rezervimeve dhe bllokimet e rrugëve si pasoja që mund të ndikojnë negativisht në ekonominë e familjeve që varen nga turizmi.
Duke iu referuar marshimit drejt aeroportit të Rinasit, kryeministri tha se protesta ka degraduar në veprime që cenojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe ka brenda saj “ekstremizëm” të nxitur, sipas tij, nga individë me qëllime të këqija.
Rama shprehu keqardhje edhe për të rinjtë që iu bashkuan protestës, duke thënë se shumë prej tyre e kuptuan më pas se kishin ndjekur një “revolucion imagjinar”.
Në fund të reagimit, kryeministri u ndal edhe te kundërshtarët politikë dhe figurat publike që kanë mbështetur protestën, duke shtuar se përfituesit e vetëm realë nga kjo situatë do të jenë qeveria dhe Partia Socialiste.
“Kur të shpërndahet mjegulla, Partia Socialiste do t’i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë”, përfundoi Rama.














