Një magazinë në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë, ku dyshohet se modifikoheshin me programe ilegale makineta të kontrabanduara për lojëra fati, është zbuluar nga policia pas pesë muajsh hetime.
Në kuadër të operacionit të koduar “Interceptimi”, janë arrestuar Admirim Spaho, 53 vjeç, dhe Sami Koni, 67 vjeç, të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari të paligjshme.
Sipas policisë, Spaho kishte marrë me qira magazinën në Kodrën e Priftit, ku, në bashkëpunim me Konin, dyshohet se sillnin makineta nga shtetet fqinje dhe ndërhynin në programimin e tyre elektronik.
Pajisjet dyshohet se modifikoheshin përmes programeve elektronike të vjedhura dhe ndërhyrjeve elektromagnetike, sipas kërkesave të personave apo subjekteve të përfshira në organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 25 makineta të lojërave të fatit (slot machine), katër telefona celularë, dy laptopë dhe një njësi kompjuterike.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Hetimi është kryer për pesë muaj, duke përdorur metoda speciale hetimore, si dhe monitorimin dhe interceptimin e valëve elektronike, sipas njoftimit të policisë.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe
Vrau gruan dhe kunatin? Valon Ramushi vetëdorëzohet në polici pas krimit në Gjilan
Tenderi i paracaktuar për faturat e tatimeve! Igli Tafa u fal 9.3 mln € kroatëve për “qoka politike”













