Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Silvio Gonzato ka deklaruar se procesi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimi Europian po vijon normalisht dhe se nuk ka asnjë bllokim, pavarësisht diskutimeve politike që janë bërë publike.

Gonzato sqaroi se raporti i Komisionit Europian për vlerësimin e pikave të ndërmjetme (IBAR) është pozitiv për Shqipërinë, duke konfirmuar progres në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të reformave për integrimin europian. Sipas tij, dokumenti tashmë është në shqyrtim nga shtetet anëtare të BE-së, të cilat duhet të dakordësojnë qëndrimin e përbashkët për fazën e radhës të negociatave.

Reklame

Ai theksoi se diskutimet që po zhvillohen në Bruksel janë pjesë normale e procedurës së zgjerimit dhe nuk përbëjnë ndalim të procesit, por një hap teknik ku vendet anëtare analizojnë raportet e Komisionit Europian.

“Raporti ka vlerësim pozitiv dhe tani është në dorën e shteteve anëtare për të vazhduar me hapat e mëtejshëm,” u shpreh Gonzato, duke shtuar se vendimmarrja në këtë fazë kërkon koordinim dhe konsensus mes vendeve anëtare.

Nga ana e tij, Edi Rama ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke deklaruar se Komisioni Europian i ka konsideruar të përmbushura detyrat e Shqipërisë për këtë fazë të procesit.

Rama hodhi poshtë pretendimet e opozitës për bllokim të negociatave, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe keqinformim ndaj opinionit publik.

Sipas qeverisë, aktualisht Shqipëria ndodhet në një fazë teknike ku Komisioni Europian po diskuton me shtetet anëtare për hapat e ardhshëm drejt mbylljes së grup-kapitujve të negociatave.

Reklame