Mbledhja e sotme e Kryesisë së Partisë Demokratike, e zhvilluar me dyer të mbyllura, është shoqëruar me debate të forta dhe tone të larta, duke nxjerrë në pah përçarje të thella brenda strukturave drejtuese të partisë.
Sipas burimeve nga mbledhja, përplasja kryesore ka qenë mes Flamur Nokës dhe Ervin Salianjit, në prani të kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Debati ka shpërthyer pas kritikave të ndërsjella lidhur me drejtimin politik të partisë dhe vendimmarrjet e fundit.
Burimet bëjnë me dije se Ervin Salianji i është drejtuar drejtpërdrejt Flamur Nokës me kërkesë të qartë për largim nga detyra:
“Flamur, duhet të largohesh. E ke dëmtuar rëndë partinë dhe përgjegjësia për gabimet e fundit, përfshirë edhe çështjen e Avokatit të Popullit, është e jotja”, mësohet të ketë deklaruar Salianji gjatë debatit.
Nga ana tjetër, Flamur Noka ka kundërshtuar ashpër akuzat, duke pretenduar se qëndrimet e Salianjit po shërbejnë interesave të kundërshtarëve politikë të PD-së.
Tonet në mbledhje kanë qenë të larta dhe përplasjet kanë vijuar edhe pas këtij momenti, ndërsa Salianji ka theksuar se Kryesia po shmang vëmendjen nga beteja kryesore politike.
“Mendova se ishim mbledhur për të rrëzuar Ramën, jo për t’u marrë me mua. Po e zhvendosni vëmendjen nga Rama”, citohet të ketë thënë ai.
Debatet e ashpra në Kryesinë e PD-së konfirmojnë tensionet e brendshme në opozitë, në një moment kritik për aksionin politik kundër qeverisë.














