Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke e cilësuar atë si një moment kulmor të revoltës së studentëve dhe gjimnazistëve, që sipas tij tashmë është shtrirë edhe në disa rrethe të vendit.

Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Berisha tha se studentët kanë triumfuar, pasi sipas tij kanë dëshmuar se dhuna, terrori dhe kërcënimet nuk mund t’i ndalin në kërkesat e tyre.

Reklame

“Studentët triumfuan sepse ata u faktuan shqiptarëve, por edhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se nuk ka dhunë, nuk ka terror, nuk ka kërcënim që mund t’i mposhtë ata”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së i cilësoi protestat si një thirrje për të ardhmen e vendit, duke pretenduar se të rinjtë po kërkojnë mundësi për të ndërtuar jetën në Shqipëri dhe për të frenuar largimin e qytetarëve.

Sipas tij, protesta përfaqëson një nga lëvizjet më atdhetare që nga viti 1990, pasi në thelb të saj qëndron, siç u shpreh ai, dëshira e të rinjve për të mos e braktisur vendin.

Berisha: Qytetarët u bënë parzmore e studentëve

Berisha përmendi edhe pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë, duke thënë se krahas studentëve dhe gjimnazistëve, në tubim u bashkuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, sindikatave të arsimit, sindikatave të minatorëve dhe organizatave profesionale.

Ai pretendoi se prania e tyre ishte një mesazh kundër qeverisë dhe mënyrës se si policia ka vepruar gjatë protestave.

“Ishte madhështore! Me praninë e tyre qytetarët i thanë kriminelëve me uniformë dhe kreut të organizatës kriminale se ne bëhemi parzmore e këtyre djemve dhe vajzave dhe ti e ke betejën e humbur”, u shpreh Berisha.

Kreu i opozitës vijoi sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar dorëheqjen dhe duke e akuzuar për përgjegjësi në situatën politike dhe shoqërore të vendit.

Në reagimin e tij, Berisha ngriti gjithashtu shqetësimin për emigracionin, rënien e lindshmërisë dhe plakjen e popullsisë, duke i lidhur këto problematika me nevojën për ndryshim politik.

Deklarata e Berishës vjen pas protestave disaditore të studentëve dhe të rinjve, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe me reagime të forta nga mazhoranca dhe opozita.

Lexo edhe

Gjobë deri në 500 mijë lekë për protestuesit, Rama prezanton 6 masat e reja: Prindërit paguajnë për të miturit

Berisha u bën thirrje shqiptarëve në Serbi: Dilni masivisht në votime, zëri juaj duhet të ushtojë fuqishëm

Reklame