Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Last Scheme”, që çoi në zbardhjen e një vjedhjeje të ndodhur rreth 10 ditë më parë në një banesë në zonën e Sharrës.Të arrestuarit janë identifikuar si Leonard Sinani, Kleand Tomja dhe Mark Hila.
Sipas Policisë, nga banesa e shtetasit D. S. u vodhën 2.5 milionë lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 mijë lekë.
Në kuadër të hetimit të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Prokurorinë, u identifikuan katër persona që dyshohet se kanë vepruar të organizuar në grup.
Tre prej tyre u arrestuan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Në pranga u vunë shtetasit L. S., 26 vjeç, K. T., 23 vjeç dhe M. H., 37 vjeç. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit A. B.
Arma dhe 82 fishekë në servisin e makinave
Gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të operacionit, policia kontrolloi një servis për mjete në Astir, në bashkëpronësi të shtetasve A. B. dhe M. H.
Në ambientet e servisit u gjetën dhe u sekuestruan:
- një armë zjarri;
- tre krehra;
- 82 fishekë luftarakë;
- dy automjete;
- një motomjet;
- dy palë targa automjetesh.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. T., u sekuestruan një automjet dhe 55 mijë lekë, të dyshuara se kanë burime kriminale.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për kapjen e personit të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe:
Ditën “arrest shtëpie”, natën hajdut: 20-vjeçari kapet pasi dyshohet se kreu 8 vjedhje














