Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas tensioneve dhe ndërhyrjes së policisë gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha ka shprehur solidaritetin e tij me studentët protestues, duke e cilësuar ndërhyrjen policore si terror të pushtetit.
“Stop terrorit të banditëve të narkoshtetit ndaj studentëve guximtarë! Nderim studentëve misionarë!”, shkruan kreu i PD-së.
Berisha ka dënuar përdorimin e forcës ndaj të rinjve që morën pjesë në protestën e kësaj të marte, ndërsa e ka cilësuar qëndresën e tyre si një akt guximi.
Reagimi i kryedemokratit vjen pas përshkallëzimit të situatës përpara Ministrisë së Arsimit, ku u raportuan përplasje mes protestuesve dhe policisë. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihen edhe momente të shoqërimit të protestuesve, ndërsa mënyra e ndërhyrjes policore është bërë objekt kritikash nga përfaqësues të opozitës.
Lexo edhe
Balla reagon pas tensioneve te Ministria e Arsimit: “Studentët nuk janë terroristë me maska!”














