Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit, ku në fokus të diskutimeve ishte situata politike pas protestave të dhunshme në Tiranë dhe masat e paralajmëruara ndaj personave të përfshirë në akte dhune.
Gjatë mbledhjes, Rama u ka kërkuar deputetëve socialistë të vijojnë punën dhe të mbajnë kontakte të vazhdueshme me qytetarët, për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre.
Sipas raportimeve për takimin, kryeministri ka kritikuar mungesën e deputetëve në terren, duke u thënë se kjo po krijon perceptimin se ata janë tërhequr për shkak të protestave.
“Populli ju kërkon te ‘Pasqyra’, atje ka heshtje. Heshtja po krijon konspiracionin se deputetët janë fshehur. Po çfarë më merreni me politikë në këto ditë?”, mësohet t’u ketë thënë Rama deputetëve socialistë.
Masat e paralajmëruara pas protestave
Një tjetër çështje e diskutuar lidhet me masat ndëshkuese ndaj personave të përfshirë në akte dhune gjatë protestave.
Ndër masat e raportuara në paketën e propozuar është edhe krijimi i një liste të zezë në sistemin TIMS, që mund të sjellë kufizime për udhëtimet jashtë vendit. Megjithatë, mbetet e nevojshme të sqarohet forma konkrete e zbatimit dhe baza ligjore e kësaj mase.
Pjesë e masave të paralajmëruara janë edhe faturimi i dëmeve familjeve të të miturve që përfshihen në akte dhune, heqja e bursave dhe mbështetjes financiare për studentët që kryejnë akte të tilla, si dhe masa ndaj mësuesve që nxisin nxënësit drejt dhunës, përfshirë mundësinë e largimit nga puna.
Protestat në Tiranë kanë shoqëruar ditët e fundit një përshkallëzim të përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Ndërsa qeveria ka bërë thirrje për dialog, protestuesit kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Lexo edhe
Rama ofron dialog, studentët i përgjigjen me fotografi të dhunës policore, jep dorëheqjen














