Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje studentëve për dialog përmes një videoje të publikuar ditën e sotme, ndërsa vendosi disa karrige përpara Kryeministrisë me mbishkrimin “DIALOG”.
Por përgjigjja e studentëve ishte e menjëhershme. Ata kanë refuzuar ftesën për dialog, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.
Përballë Kryeministrisë, studentët kanë vendosur edhe fotografi që paraqesin pamje të dhunës së ushtruar nga efektivët e policisë ndaj protestuesve gjatë ditëve të fundit. Përmes këtyre imazheve, ata kanë shprehur kundërshtimin ndaj idesë së dialogut, në kushtet kur pretendojnë se të rinjtë janë dhunuar gjatë protestave.
Për studentët, një ftesë për bisedime nuk mjafton për të zbutur zemërimin e krijuar nga përplasjet me policinë. Kërkesa e tyre mbetet dorëheqja e Edi Ramës.
Ndërkohë, protestës i janë bashkuar sot edhe pedagogë, të cilët kanë dalë në mbështetje të studentëve dhe kundërshtimit të tyre ndaj dhunës policore.
Kështu, karriget e vendosura nga Rama në emër të dialogut janë përballur me refuzimin e protestuesve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për ngjarjet e ditëve të fundit dhe largimin e kryeministrit.
Lexo edhe
Rama bën lëvizjen e papritur, karriget e dialogut dalin në bulevard!














