Kryeministri Edi Rama ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, sfidat e negociatave dhe perspektivën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, gjatë një interviste me gazetaren Maria Tadeo në Euronews Enlargement Summit.

Rama u shpreh se Shqipëria po punon sipas një plani të mbështetur nga Komisioni Europian, me synimin për të përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027.

Reklame

Ai komentoi gjithashtu qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe projektit europian, si dhe pritshmëritë për raportin e ardhshëm të Komisionit Europian, duke pranuar se nuk priten ndryshime thelbësore krahasuar me vitin e kaluar.

Edi Rama: Dëgjoni. Ajo çfarë di është që fituesit në Beograd nuk janë, nuk tregojnë hapje për atë që është çështja më e dashur për mua e për shqiptarët që është çështja e njohjes së Kosovës. Ata janë tërësisht të mbyllur ndaj kësaj çështje, kështu që kjo nënkupton se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë.

Dëgjo, unë nuk i jap leksione askujt. Mua më japin leksione, duke qenë se jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht pjesë e Bashkimit Evropian. Kështu që jemi ne ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, ky është rregulli këtu në Bruksel. Pra nuk do t’i jap leksion askujt, por do të them thjesht që, po, Serbia është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij mozaikut të Ballkanit Perëndimor. Po, gjithmonë kam qenë avokat i faktit që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe njëfarësoj të braktisë projektin evropian, sepse kjo do të dëmtonte pikësëpari të gjithë rajonin tonë.

Nga ana tjetër, sidoqoftë, e dimë si shkojnë gjërat: në qoftë se do të hysh në Bashkimin Evropian, të duhet të realizosh gjëra në shumë aspekte. Kur bëhet fjalë për aspekte të caktuara, Serbia ka dëshmuar një hezitim, dhe jo vetëm për normalizimin me Kosovën, por edhe për qëndrimin që ka karshi Rusisë, sanksioneve dhe gjërave të tjera. Pra, unë do të thoja po, na duhet Serbia të jetë me ne, duhet që Serbia të jetë pjesë e një fqinjësie që duhet të jetë pjesë e plotë e Bashkimit Evropian, por, edhe një herë, Serbia duhet të tregojë rezultate dhe duhet ta meritojë plotësisht këtë përkatësi duke realizuar plotësisht atë çka është e panegociueshme në raport me Bashkimin Evropian.

Dëgjoni, nuk jam kaq i ri më në këtë detyrë dhe kam parë gjëra që nuk do t’i besonit, siç thuhet, siç ka thënë dhe dikush. Megjithatë, unë shoh afate që janë fashitur rrugës, kam parë sesi Bashkimi Evropian nuk ka realizuar premtimet e veta, kam parë sesi Bashkimi Evropian është i aftë të realizojë dhe më shumë nga ç’pret. Kështu që nuk i dihet kurrë me Bashkimin Evropian. Nuk e di. Ajo çfarë di si fakt, është që ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan i mbështetur plotësisht nga Komisioni, për t’i përmbyllur negociatat në fund të 2027-ës. Ndërsa flasim, gjithçka po ecën në përputhje me planin. Nëse do të jetë kështu, do të vazhdojë kështu deri në fund të vitit tjetër, do të përmbyllim negociatat.

Dhe kjo do të jetë absolutisht shteruese, sepse do të nënkuptojë që ne kemi bërë punën tonë. Dhe pastaj, kur vjen fjala te puna e 27-ve, kjo është e ndërlikuar. Sepse flasim për 27 mjekë që duhet të bëhen bashkë, të mblidhen bashkë, dhe të kenë të njëjtën ide për një pacient,dhe janë patologë.Dëgjoni, është pjesë e të gjithës kësaj. Deri në fund të ditëve pra është pjesë, marrja me këto çështje është pjesë e punës deri në fund të ditëve. Sepse në qoftë se nuk do të kishim probleme, atëherë do të ishim si Zvicra. Dhe do të thonim, “ndoshta nuk vijmë të rrimë me ju, ndoshta jeni ju që duhet të vini të rrini me ne”. 

Por pikërisht sepse kemi probleme apo çështje me të cilat duhet të përballemi, jemi në një fazë ku ende nuk jemi gati për të qenë anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, pikërisht pse ky proces është më efikasi, procesi më mrekullibërës për vendet që të shndërrohen në shtete e demokraci funksionale, duhet ta bëjmë për hir tonë, për hir të fëmijëve tanë. Po, kemi probleme, dhe po luftojmë që t’i zgjidhim. Përballemi me to dhe procesi po na ndihmon ta bëjmë këtë gjë me mjete që në të kundërt nuk do t’i kishim. Pra është një bekim i madh të jesh në zemër të Evropës dhe të vish nga një histori aq mizore prej së cilës kemi ardhur ne, e që nuk do të na lejonte t’i bënim të gjitha këto transformime nëse nuk do të kishim mundësinë e Bashkimit Evropian përpara vete.

Kështu që ky është dallimi. Ky është ndryshimi pse nuk funksionoi në Afganistan, në Irak, në vende të tjera ku iu premtua demokraci, iu premtuan institucione funksionale e një e ardhme e ndritshme dhe për fat të keq nuk ndodhi. Pse? Sepse nuk kanë Bashkimin Evropian si horizont, si pikë horizonti dhe si burim dije për mënyrën sesi ndërtohet shteti, sesi ndërtohen institucionet. Në këtë pikë, kur bëhet fjalë për raportin, nuk prisni asgjë që do të jetë thelbësisht ndryshe nga viti i kaluar.

Lexo edhe

Arka me euro janë paratë e xhepit të Ballukut, Berisha: Edhe Maznikut iu gjetën 900 mijë euro në shtëpi

Letra e Veliajt ndez reagimin e Berishës: “Rama kërkon t’i dorëzojë Bashkinë Hajdarit, Tre lugë i merr për vete, një ua lë të tjerëve”

Reklame