Të protestosh me maskë dhe të dalësh i maskuar për të mbajtur një deklaratë publike janë dy gjëra krejt të ndryshme. Në protestë, maskimi mund të lidhet me rrethana konkrete dhe me frikën nga identifikimi. Por kur organizon një dalje publike, rreshtohesh me veshje të zeza, mbulon fytyrën, vendos edhe flamurin kombëtar sindekor dhe deklaron se je paqësor, por i detyruar të vetëmbrohesh, imazhi që përcjell pastaj është krejt tjetër: anonim, i ashpër dhe me një estetikë që të kujton një formacion të organizuar për përballje.
Mendoj se problemi nuk është vetëm pamja. Është edhe kontradikta me vetë frymën e protestës qytetare. Forca e studentëve duhet të jetë te guximi për të dalë hapur, me fytyrë, me argumente dhe me përgjegjësi për fjalën e tyre. Një kauzë që kërkon besimin e shoqërisë nuk ka pse të ndërtojë autoritet përmes anonimitetit dhe një paraqitjeje që rrezikon të krijojë frikë ose distancë.
Këtu shtohet edhe një kontradiktë tjetër: vetë studentët kanë deklaruar se askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të tyre. Atëherë, kush janë personat që dalin në këtë deklaratë dhe në çfarë cilësie flasin? Të shprehësh qëndrimin tënd është një e drejtë; të krijosh përshtypjen se përfaqëson një lëvizje të tërë është përgjegjësi tjetër. Nëse refuzohet përfaqësimi i paautorizuar, ky parim duhet të vlejë për të gjithë. Nuk e di a po i këshillon ndokush këta studentë, por nëse dikush po i këshillon studentët të paraqiten në këtë mënyrë, duhet pyetur seriozisht për strategjinë e tij. Një këshillues duhet të ndihmojë në zgjerimin e mbështetjes qytetare, jo të prodhojë një imazh që rrezikon t’ia zhvendosë vëmendjen publikut nga kauza te vetë grupi. Një gabim i tillë mund t’i kushtojë shtrenjtë protestës, edhe pse nuk mund të thuhet ende se do të përcaktojë fatin e saj.
Kjo protestë mund të ketë kauzë të drejtë, unë besoj që e ka, dhe të dëmtohet nga mënyra e gabuar e përfaqësimit. Studentët nuk kanë nevojë të duken të frikshëm për të qenë të vendosur. Ata kanë nevojë të jenë të besueshëm, të qartë në kërkesat e tyre dhe të aftë të fitojnë solidaritetin e shoqërisë. Forca e lëvizjes së tyre nuk matet me sa imponuese duket në një fotografi, por me sa njerëz arrin të bindin të qëndrojnë pranë saj.
Lexo edhe
Veliaj shigjeton Ramën: Urime studentëve në Serbi, protestat nuk janë fundi i botës, por i një bote














