Pas pesë ditësh përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, dëmtimit të bulevardit, djegies së disa ndërtesave dhe shkatërrimit të semaforëve në kryeqytet, punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë nisur ndërhyrjet për pastrimin dhe sistemimin e zonës përpara Kryeministrisë.
Në ditën e gjashtë të protestës, ndërsa situata paraqitet më e qetë dhe deri më tani nuk ka nisur grumbullimi i protestuesve, në shesh kanë mbërritur punonjësit e bashkisë me automjete dhe eskavatorë.
Ata kanë nisur heqjen e gurëve të trotuarit, si atyre të shkëputur gjatë përplasjeve, ashtu edhe të tjerëve që kanë mbetur në rrugë. Ndërhyrja synon pastrimin dhe rikthimin e zonës në gjendjen e mëparshme pas dëmeve të ditëve të fundit.
Puna e bashkisë vjen në një moment kur mbetet e paqartë nëse protesta do të vijojë edhe sot dhe nëse tubimi do të zhvillohet në mënyrë paqësore apo do të shoqërohet sërish me përplasje.
Gjatë pesë ditëve të protestës janë raportuar përplasje të përsëritura, përdorim force nga policia, shoqërime dhe ndalime të protestuesve, si dhe dëmtime të pronës publike e private.
Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për dialog, ndërsa përfaqësues diplomatikë të huaj kanë apeluar për qetësi dhe ndalimin e dhunës.
Për momentin, nisja e punimeve për pastrimin e sheshit nuk do të thotë se protesta ka përfunduar. Vijimi i saj dhe situata gjatë orëve në vijim mbeten për t’u parë.
Lexo edhe
Rama për protestat: “Studentët janë pengje të grupit të zjarrit”, akuzon Berishën dhe duart e huaja
Rama: Protestat po nxisin dhunë, “nuk dua të bie në kurthin që kërkon gjak”













