Advertisement

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit të përgjimeve të reja që lidhen me shtetasin izraelit Ron Yeffet, duke kërkuar transparencë dhe hetim për përmbajtjen e tyre.

Bardhi e konsideron çështjen më shumë se një histori përgjimesh, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si, sipas tij, ushtrohet pushteti dhe merren vendime në institucionet shqiptare.

Reklame

Në reagimin e tij, ai veçon shprehjen “Ministrinë e Energjisë ma lini mua!”, të cilën e lidh me pretendimin për ndërhyrje në çështje që lidhen me institucionet shtetërore.

“Kjo nuk është më thjesht një çështje përgjimesh. Është një pyetje e madhe politike: kush e drejton realisht shtetin shqiptar?”, shkruan Bardhi.

Bardhi: Institucionet anashkalohen përmes lidhjeve personale

Sipas deputetit demokrat, nëse një shtetas i huaj mund të flasë për ministritë dhe institucionet shqiptare sikur të ishin pronë private, atëherë bëhet fjalë për një situatë që kërkon përgjigje publike dhe ligjore.

Bardhi i referohet gjithashtu një tjetër deklarate të përfshirë në përgjime: “Mos nisni asnjë letër zyrtare, merrem unë me ta”.

Ai pretendon se një komunikim i tillë ngre dyshime për anashkalim të procedurave institucionale dhe për përdorimin e lidhjeve personale në vendimmarrje.

“Kush i ka dhënë këto kompetenca? Kush autorizon ndërhyrjet? Dhe kush mban përgjegjësi? Përgjigjja dihet: Edi Rama!”, deklaron Bardhi.

Kërkohet transparencë dhe hetim

Kreu i grupit parlamentar të PD-së e lidh çështjen drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama, ndërsa akuzon qeverinë se institucionet dhe pasuritë publike po trajtohen, sipas tij, përmes marrëdhënieve personale.

“Pasuritë dhe institucionet e Shqipërisë nuk janë pronë e Edi Ramës dhe aq më pak e miqve apo klientëve të tij”, shprehet Bardhi.

Në fund të reagimit, ai kërkon që përmbajtja e përgjimeve të bëhet objekt transparence dhe hetimi.

“Kjo histori kërkon transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Menjëherë, pa asnjë vonesë!”, përfundon Gazment Bardhi.

 

Lexo edhe:

Berisha: Rama dhe Ron Yeffet, trafikantë ndërkombëtarë armësh! Opozita kërkon Komision Hetimor

Behgjet Pacolli padit Ramën në Arbitrazh: Po na merr aeroportin e Vlorës për t’ia dhënë Ron Yeffet

Reklame