Pedagogë dhe studentë janë mbledhur paraditen e kësaj të marte përpara Universitetit të Tiranës, në shenjë mbështetjeje për protestën e të rinjve që prej ditësh po zhvillohet në vend.
Përfaqësues të stafeve akademike nga universitete të ndryshme të kryeqytetit kanë dalë në krah të studentëve, duke kundërshtuar dhunën e ushtruar nga Policia gjatë protestave të ditëve të fundit.
Në deklaratën e tyre, pedagogët kanë shprehur qëndrimin kundër dhunës ndaj studentëve, ndërsa tubimi i sotëm synon të tregojë mbështetjen e komunitetit akademik për të rinjtë dhe të drejtën e tyre për të protestuar.
Pas grumbullimit përpara Universitetit të Tiranës, pedagogët dhe studentët pritet të nisin marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, i cili prej ditësh është kthyer në qendrën e protestave në kryeqytet.
Ende nuk është e qartë nëse marshimi do të ndalet përpara Kryeministrisë, ku protestuesit kanë zhvilluar tubimet e tyre gjatë ditëve të fundit.
Bashkimi i pedagogëve me studentët shënon një tjetër zhvillim në protestën që ka vijuar mes thirrjeve kundër qeverisë, përplasjeve me Policinë dhe kërkesave për respektimin e së drejtës për tubim paqësor.
Lexo edhe
Pas shtatë ditësh protestash, vijnë përforcime nga Turqia? Dy autobotë uji zbresin në Rinas













