Pas ditëve të tensionuara dhe përplasjeve në Tiranë, kryeministri Edi Rama po e përsërit thirrjen për dialog ndaj protestuesve, këtë herë me një veprim të pazakontë.
Përpara Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë vendosur disa karrige, mbi të cilat janë lënë letra me fjalën “Dialog”. Një mënyrë simbolike për të përcjellë mesazhin se dera për bisedime mbetet e hapur.
Rama ka artikuluar prej disa ditësh thirrjet për dialog, në një kohë kur protestat janë shoqëruar me përplasje të forta mes protestuesve dhe Policisë. Kjo vjen pasi protestuesit kanë shprehur vendosmërinë për ta vijuar lëvizjen, ndërsa në rrugë janë regjistruar edhe episode dhune.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ndonjë prej protestuesve do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje dhe do të ulet në karriget e vendosura përballë Kryeministrisë. Për momentin, ato qëndrojnë në bulevard si një ftesë publike për dialog, ndërsa distanca mes qeverisë dhe protestuesve mbetet e dukshme.
A do të shndërrohen këto karrige në një tryezë të vërtetë bisedimesh, apo do të mbeten vetëm një gjest simbolik? Zhvillimet e orëve në vijim pritet të tregojnë nëse kjo ftesë do të marrë përgjigje.
Lexo edhe
Pamjet nga Rinasi, Këlliçi ngre alarmin: “Rama shton mjetet kundër studentëve”
Rama mbron ndërhyrjen e Policisë: “Ky gur përcakton ku mbaron e drejta e protestës”













