Advertisement

Kaosi dhe pritjet e gjata në trafik janë kthyer tashmë në një rutinë javore për qytetarët që udhëtojnë në aksin Tiranë–Elbasan. Mesditën e kësaj të shtune, qarkullimi nga dalja e Tunelit të Krrabës deri në hyrje të Elbasanit është paralizuar, për shkak të radhëve të gjata të automjeteve.

Segmenti më problematik mbetet “Hinka e Shijonit”, e cila çdo fundjavë shndërrohet në pikën kryesore të ngërçit për qindra drejtues mjetesh që lëvizin drejt Juglindjes. Situata u përkeqësua veçanërisht pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, vetëm pak kilometra nga Elbasani, ku lëvizja u bë thuajse e pamundur për më shumë se një orë.

Reklame

Shkaku kryesor i bllokimit mbetet fluksi i lartë i automjeteve që largohen nga Tirana drejt qyteteve të tjera për fundjavë, ndërsa mungesa e një strategjie konkrete nga autoritetet për menaxhimin e trafikut vijon të rëndojë situatën.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë durim dhe të ndjekin udhëzimet e policisë, por problemi mbetet i pandryshuar: bllokimi i përhershëm i këtij aksi pa një zgjidhje afatgjatë.

Reklame