Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) një kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, ku ndodhet prej 8 shkurtit 2025.
Kërkesa e Veliajt do të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa vendimi pritet me interes të lartë, për shkak të peshës së dosjes dhe akuzave të ngritura nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet më 10 shtator 2025 dhe ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona dhe shoqëri të tjera, pjesë e dosjes së bujshme “Veliaj”.
SPAK ka ngritur ndaj Erion Veliajt plot 13 akuza, mes tyre:
korrupsion pasiv,
pastrim parash,
mosdeklarim pasurie,
shpërdorim detyre,
futje e sendeve të ndaluara në ambientet e burgut.
Sipas SPAK, akuza kryesore është ajo e korrupsionit pasiv të kryer në 9 raste, ku Veliaj dyshohet se ka përfituar shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani private, të cilat më pas kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Në të njëjtën linjë akuzash është edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të ardhurash.
Biznesmenët e përfshirë në dosje akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ndërkohë, ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndërsa Fatjon Baci, gardian në burgun e Durrësit, akuzohet se i ka dhënë telefon Erion Veliajt gjatë transferimit nga qelia në gjykatë, në dy raste.
Dosja “Veliaj” konsiderohet një nga çështjet më të rënda të hetuara ndonjëherë ndaj një kryebashkiaku në detyrë, ndërsa vendimi për kërkesën e tij për lirimin nga qelia pritet të sjellë reagime të forta politike dhe publike.














