Bledi Doçi, vëllai i Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, është arrestuar ditën e sotme në Turqi.
Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të autoriteteve italiane, që synonte goditjen e grupit të Visit të Pojës.
Grupi kriminal me bazë në Durrës dhe në Puglia trafikonte sasi të mëdha të kokainës dhe heroinës drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës. Në krye të organizatës dyshohet të ketë qëndruar Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”, edhe pse vitet e fundit drejtimin e grupit duket se ia ka kaluar nipit të tij, Elvis Doçi.
Operacioni ka çuar në lëshimin e 52 masave sigurie, ku 40 prej tyre janë për shtetas shqiptarë dhe 12 për shtetas italianë. Disa nga të dyshuarit arritën të arratiseshin, përfshirë edhe kreun e grupit, Elvis Doçi, i cili mbetet në kërkim ndërkombëtar.
Arrestimi i Bledi Doçit shënon një goditje të rëndësishme ndaj organizatës, ndërsa hetimet dhe operacionet ndërkombëtare për kapjen e të arratisurve vazhdojnë.














