Policia e Tiranës ka goditur një aktivitet të dyshuar të mashtrimit kompjuterik që ushtrohej nëpërmjet një call center-i të vendosur në bulevardin “Gjergj Fishta”, duke arrestuar katër persona dhe duke proceduar penalisht 49 të tjerë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Hold On”, të zhvilluar nga specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me specialistët e Hetimit të Krimeve Kibernetike dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u vunë në pranga Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Eljo Dyrmishi dhe Marjo Myftari.
Sipas policisë, katër të arrestuarit dyshohet se administronin aktivitetin e paligjshëm ose drejtonin grupet e punonjësve që ushtronin këtë veprimtari.
Gjatë ndërhyrjes në ambientet e call center-it, autoritetet konstatuan në punë 49 shtetas, të cilët u kapën në flagrancë dhe ndaj tyre nisi procedimi penal në gjendje të lirë.
Nga kontrolli i ambienteve u sekuestruan 107 pajisje elektronike, të cilat dyshohet se përdoreshin për realizimin e mashtrimeve. Konkretisht, policia sekuestroi 94 kompjuterë, 11 telefona celularë dhe 2 iPad, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u ndërmor pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në katin e dytë të një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta” zhvillohej aktivitet i organizuar i mashtrimit kompjuterik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të mashtrimit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.















