Nga Saimir Kola
Intimidimet, fyerjet dhe shantazhet ndaj gazetarëve janë modeli i këtij pushteti
Ka një problem që prej kohësh po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në Shqipëri: mënyra se si pushteti sillet me gazetarët kur përballet me pyetje që nuk i pëlqejnë. Nuk po flas për një rast të vetëm. Po flas për një sjellje që është përsëritur me vite dhe që tashmë ka prodhuar një klimë ku gazetari, në vend që të marrë përgjigje, përfundon vetë në bankën e të akuzuarit, i fyer, i shantazhuar dhe përballë dyerëve që i përplasen.
Edi Rama ka përdorur prej vitesh një gjuhë denigruese ndaj mediave. Termi “kazan” është bërë tashmë pjesë e historisë së marrëdhënies së tij me median. Një mision i përbashkët i organizatave ndërkombëtare të lirisë së shprehjes raportoi që në vitin 2018 se gazetarët u kishin thënë se etiketime të tilla nga kryeministri pasoheshin edhe nga sulme e kërcënime online ndaj tyre.
Më pas erdhi termi tjetër: “riedukim”.
Në vitin 2022, Rama përdori këtë gjuhë në raport me gazetarë që i bënin pyetje kritike dhe, në rastin e Klevin Mukës, iu kufizua edhe pjesëmarrja në konferencat e kryeministrit, dhe për cfarë, për një pyetje që kishte të bënte pikiërisht me një vendim që vetë Rama kishte marrë, atë të kodit të etikës ndaj ministrave. Organizatat e lirisë së medias e kanë dokumentuar këtë si pjesë të një modeli intimidimi dhe kufizimi të aksesit.
Po atë vit, në një përplasje tjetër me gazetarin Klevin Muka, pasi gazetari e pyeti për drejtësinë, në një konfencë e përbashkët të Ramës dhe Ulsi Manjës, Rama e mbylli përplasjen me shprehjen: “Budallenjtë e kanë me tepri buzëqeshjen.”
Më 19 mars 2024 ndodhi diçka edhe më serioze. Gjatë një komunikimi me gazetarët, Rama preku në fytyrë gazetaren Ambrozia Meta, pasi ajo i bëri pyetje kritike. incidenti u kap nga kamerat dhe u cilësua nga organizatat e gazetarëve si cenim i integritetit fizik dhe sjellje intimiduese. Historitë nuk mbarojnë këtu. Në gusht 2024, gjatë raportimit për ngjarjen e Pogradecit, Rama sulmoi gazetarët duke i akuzuar se përhapnin “fabrikime” dhe dezinformim. Rasti është regjistruar nga SafeJournalists si deklaratë agresive ndaj gazetarëve.
Dy rastë të tjera vijnë në datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025 në dy intervista të ndryshme kryeministri Rama përplaset me një “togë gazetarësh” dhe pikërisht me Fatjona Mejdinin, Mirela Milorin, Neritan Sejaminin dhe Robert Rakipllarin. Rakipllarit preferoi tia thoshte në italisht fyerjen duke i thënë: stupiditeti yt. Ndërsa ndaj Fatjona Mejdinit përdori shprehjen “animalizëm”. Ndërsa me Milorin pati përplasje të ashpër.
Në fillim të këtij viti dhe pikërisht në janar, radha i erdhi sërish Klodiana Lalës. Pasi ajo ngriti pyetje konkrete për inceneratorët dhe përgjegjësinë institucionale, Rama nuk iu përgjigj thelbit të çështjes, por e akuzoi publikisht për “injorancë”, “mungesë etike” dhe “dezinformim”.
Më 13 mars 2026, në një konferencë për shtyp, Rama u përplas me Ambrozia Metën dhe gazetarin Isa Myzyraj. Pas debatit Rama i tha Metës se nuk do të lejohej më në konferencat e tij dhe Myzyraj u nxor gjithashtu nga konferenca. Edhe në këtë rast pati një reagim nga SafeJournalists, dhe organizata të tjera që e cilësuan këtë si shqetësim për aksesin e barabartë të gazetarëve në informacion.
Por nuk ka qënë vetëm Rama i shquar për këto veprime. Ka edhe të tjerë. Më 11 maj 2025, gjatë zgjedhjeve, deputeti socialist Erion Braçe u përplas me gazetaren e Syri TV Ambrozia Meta dhe ekipin e saj. Ne e kemi shikuar LIVE këtë përplasje plot ofendime verbale dhe kontakt fizik me gazetaren. ARTiCLE 19 dhe MFRRiSafeJournalists e përfshinë këtë rast në listën e rasteve të intimidimit dhe pengimit të gazetarëve gjatë zgjedhjeve. Një tjetër rast është ai 14 korrikut të këtij viti ku i njëjti deputet, Erjon Braçe shtyu fizikisht gazetarin e News24 Marcel Rupi kur ai iu afrua për t’i bërë pyetje. Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë kërkoi që Braçe të reflektonte dhe të kërkonte falje.
Ndërsa sot kemi sot episodin e fundit që vjen nga një tjetër drejtim i pushtetit. Përpara GJKKO-së, ish-drejtoresha e ShISh, Vlora Hyseni, iu drejtua gazetares Klodiana Lala me pyetjen: “Klodi, si kalon ti me agjentët serbë në ambientet e hotelit Rogner?”. Fati deshi që kjo deklarata u bë në transmetim LIVE nga të gjitha mediat. Kjo është një akuzë jashtëzakonisht e rëndë, ndoshta më e rënda e bërë publikisht ndaj një gazetareje investigative, në momentin kur ajo po kryente detyrën e saj.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi.
Kjo qeveri pyetjeve të vështira të gazetarëve u është përgjigjur me fjalët: “kazan”, “riedukim”, “injorant”, “budalla” si dhe me veprime konkrete si përjashtim nga konferenca, akuzë për lidhje me krimin apo me agjentë të huaj. Është e kotë kjo lloj sjellje sepse pushteti nuk mund ta zëvendësojë përgjigjen me sulmin ndaj gazetari. Ne e dimë tashmë se cfarë ndodh me një qeveri apo pushtet kur fillon të mos i durojë dot pyetjet.
Vlora sot nuk bëri ndonjë gjë të madhe, ajo aplikoi modelin e gasthëm të atij që e vurë në atë vend pune. Dhe po, kjo lloj sjellje tashmë është një ‘paternt’ i gatshëm për të gjithë funksionarët e qeverisë. Nuk surprizohemi, por kjo nuk do të thotë se nuk rrimë dot pa reaguar.
Lexo edhe:
Kush e çoi Kosovën në Hagë? Historia që duhet lexuar përpara se të gjykojmë Specialen
“Nuk është histori dashurie”/ Saimir Kola: Është pushtim i shtetit nga mafia















