Aleksandar Vuçiç ka pranuar humbjen e listës së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, duke deklaruar se, sipas të dhënave paraprake, Lista Studentore ka dalë fituese.

Ish-presidenti serb, i cili mbështet Partinë Përparimtare Serbe (SNS), tha se rezultatet e bazuara në një mostër tregojnë se lista e studentëve mund të sigurojë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa kampi i tij rreth 105 mandate.

Reklame

“Në bazë të mostrës, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar Lista Studentore, e cila do të ketë mes 135 dhe 140 mandate, ndërsa ne rreth 105 mandate”, deklaroi Vuçiç.

Ai dha edhe shifrat paraprake të votave, duke pretenduar se lista e tij ka marrë rreth 1.72 milionë vota, ndërsa Lista Studentore rreth 2.2 milionë.

Në shtabin e listës “Studentët fitojnë”, ndërkohë, ka nisur festa. Kandidatët dhe studentët janë mbledhur së bashku, duke kënduar dhe brohoritur “Fitore”.

Rezultati i paralajmëruar nga Vuçiç shënon një zhvillim të rëndësishëm politik për Serbinë, ku SNS-ja ka qenë në pushtet që nga viti 2012. Lëvizja studentore është kthyer në një faktor të rëndësishëm politik pas protestave të nxitura nga tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku shembja e tendës së çatisë shkaktoi 16 viktima.

Shifrat e bëra publike nga Vuçiç bazohen në një mostër dhe duhen dalluar nga rezultati përfundimtar zyrtar i zgjedhjeve.

Lexo edhe

Serbia sot në zgjedhje, shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me listë të përbashkët

Ardita Sinani voton në Serbi, thirrje shqiptarëve të Luginës: “Sot vendoset e ardhmja jonë”

Reklame