Policia e Shkodrës ka goditur dy raste të kultivimit të bimëve narkotike në kuadër të operacionit të koduar “Territor i Pastër”, duke arrestuar dy persona dhe proceduar penalisht kryeplakun e një fshati.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të kryera në fshatin Ndrejaj, njësia administrative Shosh, shërbimet e Policisë zbuluan një parcelë me 768 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në flagrancë u arrestua 53-vjeçari Pllumb Mollzati, i cili u kap pranë parcelës ku dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike. Gjatë kontrollit në afërsi të banesës së tij, efektivët sekuestruan edhe 80 kubikë me fidanë të dyshuar kanabisi.
Një tjetër rast u evidentua në fshatin Vukël, në njësinë administrative Kelmend, ku Policia zbuloi një parcelë me 1 250 bimë të dyshuara cannabis sativa.
Në afërsi të parcelës u arrestua në flagrancë 52-vjeçari Ardjan Çekaj, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në vijim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj kryeplakut të fshatit Vukël, shtetasit K.B., 65 vjeç, për shkak të dyshimeve lidhur me moskallëzimin e aktivitetit të paligjshëm.
Në total, Policia asgjësoi me anë të djegies 2 098 bimë dhe fidanë kanabisi, ndërsa kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.













