Tensione janë regjistruar mëngjesin e kësaj të marte para godinës së Kuvendit, ku një grup protestuesish kanë pritur deputetët që mbërrinin për seancën plenare me thirrje dhe veprime simbolike kundërshtuese.
Gjatë hyrjes së deputetëve në ambientet e Kuvendit, protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të tyre, ndërsa kanë brohoritur vazhdimisht: “Turp!”, “Largohuni!”, “Jepni dorëheqjen!” dhe “Opozitë e shitur!”.
Me këto thirrje, protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre jo vetëm ndaj qeverisë, duke kërkuar largimin e saj, por edhe ndaj opozitës, të cilën e akuzojnë se nuk po përmbush rolin e saj si forcë kontrolluese e pushtetit.
Në hyrje të Kuvendit ishte vendosur një prani e shtuar e forcave të policisë, të cilat monitoruan situatën dhe garantuan hyrjen e deputetëve në sallën e seancës. Pavarësisht hedhjes së vezëve dhe thirrjeve, deri në këto momente nuk raportohen incidente të rënda apo persona të lënduar.
Protesta vjen në një klimë të tensionuar politike dhe pritet të vijojë edhe gjatë zhvillimit të seancës parlamentare, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë aksionin e tyre deri në plotësimin e kërkesave që kanë artikuluar në tubimet e fundit.














