Një operacion i gjerë i zhvilluar nga policia katalane Mossos d’Esquadra në bashkëpunim me Guardia Civil ka çuar në goditjen e një rrjeti biznesi që dyshohet se furnizonte grupe kriminale shqiptare me pajisje për kultivimin e marijuanës në ambiente të mbyllura.

Sipas mediave spanjolle, rrjeti vepronte në disa rajone të Spanjës, përfshirë Katalonjën, Valencian dhe Granadën, dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta me organizata kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës.

Reklame

Hetimet kanë zbuluar lëvizje financiare që arrinin në rreth 80 milionë euro në llogaritë e një kompanie, e cila zyrtarisht kishte deklaruar vetëm 13 milionë euro të ardhura. Autoritetet dyshojnë se diferenca përfaqëson të ardhura të përfituara nga aktiviteti kriminal dhe skema të pastrimit të parave.

Sipas hetuesve, rrjeti funksiononte përmes kompanive të ashtuquajtura “grow shop”, të cilat në dukje shisnin produkte për bujqësi të brendshme, por në realitet furnizonin pajisje të specializuara për kultivimin e kanabisit, përfshirë llamba, ventilatorë, plehra kimike dhe sisteme teknologjike.

Bizneset dyshohet se operonin në mënyrë të fshehtë, me aktivitet të kufizuar publik dhe me qasje të kontrolluar, duke shmangur vëmendjen e autoriteteve. Pagesat kryheshin kryesisht në cash dhe pa faturim, për të shmangur gjurmimin financiar.

Hetimi, i nisur në vitin 2023, ka identifikuar bashkëpunim të rrjetit me të paktën gjashtë organizata kriminale shqiptare. Autoritetet theksojnë se për të fshehur gjurmët financiare ishte ngritur edhe një sistem i dyfishtë kontabiliteti, me të dhëna zyrtare dhe të fshehta.

Sipas policisë, rrjeti kishte shtrirë aktivitetin edhe në Gjermani dhe vende të tjera europiane, duke përdorur struktura biznesi për të qarkulluar dhe legalizuar fitime të dyshuara kriminale.

Autoritetet spanjolle e kanë përshkruar skemën si një “centrifugë të pastrimit të parave”, ku fitimet nga aktivitetet e paligjshme riinvestoheshin në mënyrë të vazhdueshme në biznese dhe pajisje të reja.

Operacioni vijon ende dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera apo sekuestrime pasurish të lidhura me këtë rrjet.

Reklame