Advertisement

Telefon i fshehur në burgun e Durrësit, pajisja i përkiste të arrestuarit nga SPAK për trafik droge

Një telefon celular i sekuestruar gjatë kontrolleve të befasishme në burgun e Durrësit dyshohet se i përkiste Artur Hoxhosmanit, i arrestuar nga SPAK si pjesë e një grupi ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Reklame

Kontrollet janë zhvilluar këtë të premte nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës.

Sipas informacioneve paraprake, telefoni i gjetur në godinën “B” rezulton t’i përkasë Artur Hoxhosmanit, i arrestuar më herët në kuadër të hetimeve për trafik ndërkombëtar droge.

SPAK kishte goditur rreth një vit më parë grupin kriminal ku dyshohet se bënin pjesë vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve.

Në njoftimin zyrtar, Drejtoria e Burgjeve bëri të ditur se gjatë kontrollit u sekuestrua një aparat celular i tipit iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.

Autoritetet konfirmuan se janë kryer të gjitha veprimet procedurale për dokumentimin e rastit dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.

Ndërkohë, strukturat e specializuara të SHKBB-së, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet për të zbuluar mënyrën se si pajisja celularë është futur brenda institucionit penitenciar.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se mbetet e angazhuar në forcimin e masave të sigurisë dhe goditjen e çdo paligjshmërie brenda sistemit penitenciar.

Reklame