Advertisement

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të ndërmarrë një “luftë frontale” ndaj oligopoleve në vend, duke i konsideruar ato si shkaktarin kryesor të rritjes së çmimeve dhe rëndimit të kostos së jetesës për qytetarët.

Në një deklaratë publike, Berisha theksoi se Shqipëria ka ligje të mjaftueshme për mbrojtjen e konsumatorit, por problemi qëndron tek moszbatimi i tyre dhe tek institucionet që, sipas tij, favorizojnë interesat e oligopoleve.

Reklame

Ai u ndal veçanërisht tek çmimi i karburanteve, duke e cilësuar si një nga problemet më të mprehta aktuale. Sipas Berishës, taksat mbi naftën janë ndër më të lartat, duke sjellë çmime që tejkalojnë edhe vendet me ekonomi shumë më të zhvilluar.

“Oligopolet dhe institucionet e korruptuara kanë krijuar një sistem që dëmton qytetarët çdo ditë. Çmimet në Shqipëri janë më të larta se në vendet e BE-së, edhe pse fuqia blerëse është shumë më e ulët,” u shpreh ai.

Berisha shtoi se Partia Demokratike nuk është kundër biznesit, por kundër abuzimit dhe deformimit të tregut. Ai theksoi se modeli i tyre mbetet taksa e ulët, ndërsa paralajmëroi një analizë të thelluar të të gjithë zinxhirit që ndikon në çmimet.

Në deklaratën e tij, ai ngriti shqetësime edhe për rritjen e çmimeve të produkteve bazë si ushqimet, duke i konsideruar edhe këto tregje si të dominuara nga oligopolet.

Në përfundim, Berisha theksoi se mbrojtja e konsumatorit do të jetë një nga prioritetet kryesore të PD-së, duke premtuar masa konkrete për të frenuar, siç i cilësoi ai, “praktikat abuzive që rëndojnë mbi ekonominë e qytetarëve”.

Reklame