Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar mënyrën e menaxhimit të prokurimeve publike dhe koncesioneve në Shqipëri, duke deklaruar se modeli aktual ekonomik favorizon një pakicë kompanish dhe dëmton konkurrencën e lirë.

Në një reagim publik, Tabaku deklaroi se në Shqipëri janë tenderuar rreth 2.2 miliardë euro në koncesione, ndërsa sipas saj, afro 1 miliard euro nga këto projekte ndodhen nën hetim për korrupsion.

Reklame

Deputetja demokrate theksoi se një pjesë e konsiderueshme e koncesioneve janë miratuar përmes ligjeve speciale në Parlament, duke shmangur procedurat normale të konkurrencës dhe standardet e ekonomisë së tregut.

Sipas Tabakut, situata në prokurimet publike mbetet shqetësuese pasi “1 në 2 tendera jepen pa garë”, ndërsa edhe në rastet kur zhvillohen procedura konkurruese, 60% e fondeve përfundojnë tek vetëm 20 kompani.

Për deputeten e PD-së, këto të dhëna tregojnë se ekonomia shqiptare nuk funksionon mbi bazën e meritokracisë dhe tregut të lirë, por mbi një sistem të përqendrimit të pasurisë publike dhe kapjes së shtetit.

Ajo krahasoi situatën në Shqipëri me vendet e rajonit, duke deklaruar se Serbia realizon 97% të tenderave me garë, ndërsa Shqipëria mbetet larg këtij standardi.

Tabaku kërkoi një reformim të plotë të sistemit të koncesioneve, PPP-ve dhe prokurimeve publike, duke përmendur sektorë si AKSHI, inceneratorët, portet, aeroportet, energjia dhe industria si shembuj të modelit ekonomik që, sipas saj, ka dominuar gjatë 12 viteve të fundit.

Në fund të reagimit të saj, deputetja theksoi se ekonomia shqiptare ka nevojë për konkurrencë reale dhe për një model ku “fiton më i miri dhe jo ai që ka lidhjen më të fortë me pushtetin”.

Reklame