Advertisement

“Burgu është për burra”, thotë një prej shprehjeve të vjetra shqiptare, por sot mund të themi se “burgu është për bossa“.

Por nëse do t’u besohej denoncimeve që qarkullojnë për burgun e Bradasheshit në Elbasan, duket se edhe kjo shprehje ka marrë një tjetër kuptim.

Reklame

Sepse në burg, si në shumë vende të tjera, nuk duket se të gjithë e përjetojnë njësoj qëndrimin pas hekurave.

Njëri pret familjarët t’i sjellin një çantë me ushqime çdo dy javë. Tjetri, nëse ka miliona dhe një emër që ka bërë bujë jashtë burgut, mund të përfundojë në një ambient për të cilin ngrihen pikëpyetje për standardet dhe kushtet.

Dhe pikërisht këtu nis historia e “çunave të Dubait” dhe e Ergys Agasit.

Sipas burimeve që vijnë nga brenda institucionit, kati i dytë i burgut të Bradasheshit është rikonstruktuar dhe ka pasur ndërhyrje të tjera në ambientet e tij, duke e bërë me kushte luksoze dhe ambiente shumë komode.

Në korridoret e burgut, personat që qëndrojnë në këtë sektor janë quajtur me ironi “çunat e Dubait”, një nofkë që lidhet me profilin e tyre dhe historitë që i kanë shoqëruar.

Mësohet se ky kat është ndër ambientet e rikonstruktuara të bugut të Bradasheshit dhe se aty qëndrojnë disa prej personave të dosjeve të bujshme.

Sipas burimeve të brendshme, ndërhyrjet kanë përfshirë edhe veshje termike kundër ujit të godinës dhe përmirësime të ambienteve të brendshme.

Madje pretendohet se disa prej dhomave kanë kushte dukshëm më të mira se standardi që imagjinohet zakonisht për një qeli.

Por këto pretendime kërkojnë verifikim zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve, përfshirë dokumentet e punimeve, kostot dhe standardet e përdorura.

Në fund të gushtit, në burgun e Bradasheshit u transferua edhe Ergys Agasi, pasi GJKKO la në fuqi masën “arrest në burg”.

Agasi u arrestua më 26 gusht në Durrës, pas disa muajsh në kërkim, ndërsa SPAK e akuzon në kuadër të hetimeve për tenderët e AKSHI-t.

Transferimi i tij në Bradashesh nuk kaloi pa zhurmë.

Gjatë kohës së arrestimit personat që qëndronin në katin e dytë, të cilët në burg njihen si “çunat e Dubait”, nuk e deshën që  Agasi të akomodohej në sektorin e tyre.

Një situatë e pazakontë për një institucion ku, në parim, vendosja dhe akomodimi i të paraburgosurve nuk duhet të përcaktohet nga dëshirat e personave që ndodhen brenda. Këtu lind pyetja që kërkon përgjigje:

A është Bradasheshi njësoj për të gjithë?

Sepse një gjë është rikonstruksioni i një burgu për të përmirësuar kushtet e të gjithë të paraburgosurve.

Tjetër gjë do të ishte nëse brenda të njëjtit institucion do të ekzistonin standarde të ndryshme në varësi të personit që ndodhet në qeli.

Dhe pikërisht kjo është ajo që duhet të sqarohet me dokumente.

Sa ka kushtuar rikonstruksioni i katit të dytë?
Kush i ka kryer punimet?
Cilat janë standardet e dhomave?
Kush vendos se në cilin sektor akomodohet një i paraburgosur?
Dhe a ka ndonjë trajtim të ndryshëm për persona të caktuar?

Çështjes i shtohen edhe pretendime të tjera të bëra publikisht nga deputeti i PD-së, Flamur Noka, lidhur me trajtimin e Ergys Agasit në sistemin e burgjeve.

Noka ka ngritur akuza për favorizim të Agasit dhe ka pretenduar se gjatë takimeve me të mund të jetë ndryshuar këndi i kamerave, në mënyrë që vizitorët të mos fiksoheshin nga sistemi i sigurisë.

Nëse janë të pavërteta, Drejtoria e Burgjeve mund t’i rrëzojë me dokumente dhe të dhëna mbi protokollet e takimeve dhe sistemin e kamerave.

Nëse ka pasur ndërhyrje në kamerat e sigurisë, atëherë pyetja është shumë më serioze:

Kush e dha urdhrin? Kush e zbatoi dhe pse?

Bradasheshi sot është kthyer në një pikë të rëndësishme të hartës së dosjeve të SPAK.

Në të njëjtin institucion janë akomoduar persona të lidhur me çështje të ndryshme penale, ndërsa raportime të fundit kanë bërë të ditur se Agasi është vendosur në të njëjtin ambient me biznesmenët Orest Sota dhe Orgest Birçaj.

Por ajo që kërkon përgjigje nuk është thjesht kush fle në cilën qeli.

Pyetja është nëse burgu është vërtet i njëjtë për të gjithë.

Sepse për një shqiptar të zakonshëm, burgu do të thotë një dhomë e mbyllur, ushqim i kufizuar, pritje e familjes dhe ditë që mezi kalojnë.

Për ata që në korridoret e burgut quhen “çunat e Dubait”, dhe tani edhe për një emër si Ergys Agasi, publiku ka të drejtë të pyesë:

A janë edhe hekurat të njëjta për të gjithë, apo edhe pas hekurave ekziston një Shqipëri me dy standarde?

Përgjigjen nuk duhet ta japin thashethemet, por Drejtoria e Burgjeve, dokumentet dhe një kontroll real i kushteve në burgun e Bradasheshit i cili kohët e fundit po përflitet shumë.

Lexo edhe

“Çunat e Dubait” s’e duan Agasin në Bradashesh, Lali Eri s’e do në Durrës/ Drejtoria e Burgjeve në hall

SHISH u mbajt jashtë operacionit për Ergys Agasin/ Frikë nga dekonspirimi? Ja pikëpyetjet

Reklame