Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Shqipëri, ndërsa reshjet e dendura kanë sjellë probleme në Elbasan.

Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës së sotme janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 6 janë shuar plotësisht.

Reklame

Në terren janë angazhuar 119 forca operacionale vendore dhe lokale, 12 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura.

Tre vatra vijojnë të jenë aktive

Një prej vatrave aktive ndodhet në Gallatë të Kurbinit, ku zjarri vijon të përhapet në shkurre dhe pisha. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Vatër aktive raportohet edhe në Librazhd Katund, ku janë angazhuar 5 efektivë të MZSH Librazhd.

Vatra e tretë ndodhet në Bularat, Dropull. Në këtë zonë po ndërhyjnë 10 efektivë të MZSH-së, 5 forca bashkiake dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura.

Edhe në Bularat nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Dibër disa vatra nën mbikëqyrje

Në Qarkun Dibër, zjarri në Lundre–Madhesh është shuar.

Ndërkohë, vatrat në Cerrujë, Mali i Allushit dhe Selishtë vijojnë të jenë nën mbikëqyrje. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, asnjëra prej tyre nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Qarkun Fier, zjarret në Bitaj të Lushnjës dhe Rërës të Patosit janë shuar plotësisht.

Reshjet përmbytin disa zona në Elbasan

Përveç situatës me zjarret, reshjet e dendura kanë sjellë probleme në Elbasan.

Gjatë ditës janë regjistruar 55 milimetra reshje shiu, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në bulevardin kryesor dhe në zonën e Urës së Shkumbinit.

Raportohet gjithashtu për përmbytje të disa banesave dhe bizneseve, veçanërisht në Lagjen “5 Maji” dhe në zonën e ish-NSHU-së.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Lexo edhe:

Zjarret në Shqipëri/ 21 vatra gjatë ditës, 5 mbeten aktive në Dibër, Shkodër dhe Fier

Zjarret në Shqipëri/ 32 vatra në 24 orë, vetëm 1 mbetet aktive

Reklame