Sekretari i Përgjithshëm i Partia Demokratike e Shqipërisë, Flamur Noka, deklaroi se protesta e opozitës do të vijojë pavarësisht, sipas tij, përpjekjeve për ta bllokuar atë.
Në një prononcim për mediat, Noka akuzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policia e Shtetit se ka dhënë urdhër për ndalimin e marshimit të opozitës, duke e etiketuar atë me termin “Narko Proda”.
“Protesta paqësore vazhdon. Pavarësisht se ‘Narko-Proda’ urdhëroi që të bllokohet marshimi, asgjë nuk e ndal. Çdo skenar që ata kishin u ka dështuar. Kryengritja është në mënyrë paqësore dhe askush nuk ua shpëton dot lëkurën”, u shpreh Noka.
Ai shtoi se, sipas tij, as drejtuesi i policisë dhe “as banda e tij në Policinë e Shtetit” nuk do të arrijnë të ndalin protestën.
Në deklaratën e tij, Noka theksoi se kryeqyteti është “në duart e qytetarëve” dhe jo – siç u shpreh ai – “të barbarëve të pushtetit”.
“Të gjitha rrugët e Tiranës do të jenë të qytetarëve”, deklaroi Noka, duke paralajmëruar vijimin e marshimit opozitar në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Protesta e opozitës po zhvillohet në disa akse të Tiranës, mes tensioneve dhe përballjes me forcat e rendit.















