Advertisement

Një investigim i medias britanike The Sun ka nxjerrë në pah shifra shqetësuese për përfshirjen e shtetasve shqiptarë në sistemin penal të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë britanike të Drejtësisë, gjatë një periudhe njëvjeçare deri në shtatorin e kaluar, 1,865 shtetas shqiptarë janë dënuar me burg, që përkthehet në një mesatare prej rreth pesë dënimesh në ditë.

Reklame

Raporti thekson se shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të të huajve në burgjet britanike, duke zënë rreth 9% të totalit të të burgosurve.

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, 58 shqiptarë janë dënuar me të paktën një vit burg, kryesisht për vepra penale që lidhen me trafikun e drogës dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Sipas legjislacionit britanik, çdo shtetas i huaj që dënohet me mbi 12 muaj burg, përballet automatikisht me dëbim pas përfundimit të dënimit. Ndërkohë, autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar po shqyrtojnë ndryshime ligjore që mund të mundësojnë deportimin edhe më të hershëm, pas vuajtjes së një pjese më të shkurtër të dënimit.

Që prej zgjedhjeve të vitit 2024, autoritetet britanike raportojnë se kanë deportuar ose larguar mbi 58,500 emigrantë të paligjshëm dhe shtetas të huaj të dënuar.

Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë në fuqi edhe një marrëveshje për transferimin e të burgosurve, e cila lejon kthimin në Shqipëri të shtetasve të dënuar me mbi katër vite burg, për të vuajtur dënimin në vendin e tyre.

Reklame