Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shkodër ka ndërmarrë masa ndaj një subjekti që ushtronte aktivitet baxhoje, pas konstatimit të shkeljeve të rënda higjieno-sanitare.
Gjatë kontrollit në subjektin “Nail Idrizi”, inspektorët kanë bllokuar 7,196 kg djathë të bardhë lope, për shkak të mosplotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore.
Përveç sekuestrimit të produktit, trupa inspektuese ka vendosur edhe bllokimin e menjëhershëm të aktivitetit të subjektit, deri në përmbushjen e kushteve të kërkuara higjieno-sanitare.
Ndaj subjektit janë marrë edhe masa administrative, ku është vendosur një gjobë prej 300,000 lekësh për shkelje të kushteve të higjienës, në bazë të Ligjit Nr. 9863 “Për ushqimin”.
Gjithashtu, është vendosur një tjetër gjobë në vlerën 100,000 lekë për shkelje të kërkesave të gjurmueshmërisë së produkteve.
AKU thekson se kontrollet në terren do të vijojnë për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve.














