Në një kohë kur çmimi i naftës vijon të rëndojë xhepat e qytetarëve dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, përfshirë luftën në Iran, kanë tronditur tregjet, pritej që reagimi në vend të ishte i fortë.
Të paktën kështu dukej në rrjetet sociale.
Ditën e sotme, në orën 17:00, shoqëria civile kishte bërë thirrje për protestë përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa në të njëjtin vend vijon prej më shumë se 105 ditësh qëndresa simbolike e disa aktivistëve të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.
Por në terren, realiteti foli ndryshe.
Nga një “revoltë” virtuale, protesta u shndërrua në një takim modest me rreth 10 persona, sipas pamjeve nga vendngjarja. Një pjesëmarrje që më shumë i ngjan një diskutimi mes miqsh sesa një reagimi qytetar ndaj rritjes së çmimeve.
Ironia qëndron në kontrastin e fortë: ndërsa në Facebook zemërimi “vërshon”, në shesh mbizotëron qetësia.
Kjo ngre një pyetje të drejtpërdrejtë: kur zgjohet ky popull? Çfarë duhet të ndodhë më shumë që qytetarët të reagojnë ndaj padrejtësive dhe kostos së jetesës që rritet çdo ditë?
Deri atëherë, duket se protesta më e madhe mbetet ajo e “like”-ve dhe “share”-ve, ndërsa sheshi… vijon të jetë bosh.














